Ka treguar se është e lin dur për televizion. E ka shumë të thjeshtë të përshtatet me çdo format si dhe është gjithnjë kënaqësi për sytë, teksa e sheh ekstravagante në ekran. Kohët e fundit, Aurela Hoxha drejton një emision dedikuar modës, çfarë është dhe një pasion i saji. Si një fashioniste e vërtetë, na tregon se shqiptarët po vishen gjithnjë e më shumë me stil dhe shije. Nuk lë pa përmendur edhe pasionin për fotografinë, por gjithnjë e rezervuar edhe para aparatit, duke u shprehur se sensualiteti tregohet edhe e veshur. E nëse mendoni se ka ndryshuar mendim sa i përket jetës private, e keni gabim. Për moderatoren simpatike është e largët dita kur do të flasë për partnerin, ashtu si është e largët edhe dita kur do të bëhet nënë, sepse për bukuroshen, prioritet aktualisht është karriera.
Riktheheni si moderatore; sa ju kishte munguar prezantimi?
Shumë! E kam thënë disa herë që televizioni është dashuria ime më e madhe, kështu që rikthimi, dhe mbi të gjitha në një format të tillë, ishte vërtet gjëja e duhur.
Një format i ri në televizionet shqiptare. A ishte kjo një ide e juaja?
Nuk ka qenë ide e imja, por ka qenë një program të cilin unë e kam ndjekur dhe pëlqyer edhe më parë në ekrane të ndryshme të huaja. Sigurisht, jam e lumtur që tashmë është në Shqipëri e mbi të gjitha që m’u propozua të jem drejtuese, imazh i këtij formati.
A mendoni se formati që ju drejtoni është për një shtresë disi më elitare?
Nuk mendoj kështu! Mendoj se është një format shumë popullor, tek i cili shumë mirë mund të gjejnë veten të gjitha shtresat e shoqërisë. Si të tillë po e trajtojmë edhe ne, duke dhënë tema dhe buxhete të ndryshme javë pas jave, që të gjitha zonjat dhe zonjushat që na ndjekin nga shtëpitë të gjejnë veten, dhe pse jo, të marrin diçka prej tij. Kujtoj që nuk kemi as kufizim moshe në pjesëmarrje të konkurrentëve për ta bërë akoma më popullor dhe të prekshëm këtë për publikun shqiptar.
Ishte e vështirë të gjeje vajza që kanë shije kur bëhet fjalë për modën?
Vështirë! Mendoj që ato vajza dhe zonja që na u drejtuan në audicione ishin pikërisht një pjesë e mirë që e dashurojnë modën, të bukurën, sigurisht me shije e stile të ndryshme, jo gjithmonë të mirinformuara. Megjithatë, kjo ishte dhe ideja, të sjellim pak realitetin, ta vëmë atë në përballje me njëra-tjetrën çdo ditë, për të kuptuar dhe pak nga karakteri dhe ideja që ka gjithsecila për stilin dhe trendet. Në fund të javës, kjo vlerësohet nga një panel profesionist.
Si vishen shqiptarët sot?
Duke marrë parasysh kushtet në të cilat jetojmë, duke marrë parasysh edhe situatën ekonomike, mendoj që përpiqen të jenë të veshur shumë mirë dhe me stil. Ka, sigurisht, plot probleme, dhepër këtë më vjen keq, pasi tani ka shumë mundësi informimi, megjithatë unë e shoh pozitivisht këtë aspekt, pasi në fund të ditës, nëse dalim në një shëtitje në Bllok, të rinjtë apo dhe mosha më e madhe, në dukje nuk kanë asnjë ndryshim me shumë kryeqytete fqinje.
A këshillohen vajzat me ju kur vjen puna për veshjet? Po jashtë programit, a ka fansa që ju pyesin rreth stilit?
Unë nuk kam të drejtë t’u jap mendim vajzave (për fat të keq!), pasi nuk duhet të influencoj në vlerësim, por jashtë programit, sigurisht, në adresën time të “Instagram”- it më shkruajnë pa fund dhe më pyesin për veshjet e tyre, për stilin, dhe kjo më mbush plot lumturi.
Si i shikoni moderatoret shqiptare sot, si vishen ato?
Në përgjithësi, çdo televizion tanimë ka një kurator imazhi, dhe si i tillë besoj është i pagabueshëm në këtë aspekt. Nuk është se i kam studiuar me vëmendje, por siç përmenda më lart, kam bindjen që çdonjëra prej tyre është shumë ‘OK’, që i përshtatet formatit që drejton, orarit të transmetimit, fizikut, e gjithashtu trendeve që ofron moda.
Po nga ana profesionale, sa të afta janë, kë keni mikeshë ndër to?
Këtë nuk më takon mua ta them. Unë, sigurisht, mund të kem mendimin tim, por mbetet diçka shumë personale dhe ndoshta aspak profesionale. Unë pothuajse me të gjitha kam relata shumë të mira.
Njiheni për dashurinë që keni për aparatin fotografik; a ka ndonjë pozë që do t’ju intimidonte?
Po, fotografia është një tjetër dashuri e imja. S’di të them nëse ka ndonjë pozë që do të më intimidonte, deri tani çdo gjë ka qenë shumë mirë.
Do ta shikojmë ndonjëherë Aurelën në poza sensuale, pse jo nudo?
Nudo jo, ndërsa sa për sensualitetin, besoj se është shumë i brendshëm; atë mund ta shfaqësh shumë mirë edhe e veshur.
Shpesh ju krahasojnë me Monika Beluçin; ju pëlqen ky krahasim?
Beluçi është një ikonë e cila do t’i rezistojë kohës, është, pa diskutim, një nga femrat më të bukura në botë. Gjithsesi, unë dua shumë të më duan për Aurelën, pasi çdo femër është e bukur sepse ka atë veçantinë e vet, ato imperfeksionet e veta, por individualiteti e bën secilën prej nesh shumë të bukur.
Keni menduar ndonjëherë të bëni karrierë jashtë kufijve të Shqipërisë, keni marrë ftesë nga ndonjë brend ndërkombëtar?
Kam zgjedhur ta zhvilloj karrierën time në Shqipëri jo rastësisht, po sepse kjo ishte zgjedhja ime prej së vogli, kur i kisha të gjitha mundësitë të provoja veten jashtë. Për të ardhmen nuk dua të flas, pasi ndonjëherë, çfarë të sjell momenti, nuk të sjell jeta i thonë, por asgjë konkrete momentalisht.
Nëse ju pyesim cili është profesioni i vërtetë i Aurelës?
Nuk më ka penguar kurrë ky konfuzim i publikut apo i mediave, pasi unë kam studiuar mjekësi, drejtësi, të cilat mund të ishin profesionet e mia. Por punoj prej kohësh në media, duke drejtuar prej 8 vitesh një revistë mode dhe duke qenë pjesë e spektaklit, herë si moderatore e herë si showgirl. Në tërësi kjo është ajo çka bëj çdo ditë. Kur t’i gjejmë një emërues të përbashkët, do ta quajmë ashtu.
Cili është thashethemi më i ashpër që keni dëgjuar për veten?
S’mund të ketë ashpërsi për mua në një thashethem. Kur është i tillë, unë e konsideroj thjesht thashethem.
Ju lëndojnë më gojët e liga apo jeni mësuar?
Më lëndon gjithçka jo e mirë që më adresohet mua, dhe me këtë nuk mësohem kurrë, por thjesht përpiqem të jem indiferente.
Gjithnjë shumë e hapur për mediat, por tepër diskrete kur vjen puna për jetën private; përse kjo zgjedhje?
Sepse, kur kam zgjedhur të jem pjesë e medias, e kam bërë se dua të ndaj me publikun pasionin tim për modën, televizionin, dhe ta bëj atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Jeta ime private nuk ka asnjë lidhje me profesionin tim, kështu që unë zgjedh ta mbaj për vete.
Mendoni se bërja publike e jetës personale e dëmton atë?
S’e di; ndoshta po, por ndoshta dhe jo. Rastet flasin në mënyra të ndryshme, megjithatë, njerëzit duhet të bëjnë atë që i bën të ndihen më mirë.
A do ta shikojmë së shpejti Aurelën veshur me të bardha në altar, dhe jo për set fotografik?
S’e di!
E keni menduar ndonjëherë veten nënë? Kur është momenti i duhur për të pasur një fëmijë për Aurelën?
S’e kam menduar. Të tilla gjëra në jetë vijnë pa shumë plane. Unë jam në një fazë që po shijoj karrierën time dhe po i përkushtohem tërësisht asaj.
![]()
![]()
![]()
![]()
![]()
![]()