TIRANE-Kënga e paralajmëruar prej më shumë se dy muajsh në bashkëpunim mes Fjolla Morinës dhe reperit të njohur Stresi, duket se më në fund do të shohë dritën e publikimit. Arsye për këtë vonesë, përveç xhirimeve të klipit, kanë qenë edhe problemet që këngëtarë të njohur kanë pasur me faqen ‘Arkiva Shqip’ në Youtube.
Në një bisedë për suplementin e së mërkurës “Vip Pages”, këngëtarja Fjolla Morina, e gjendur në Tiranë me rastin e xhirimeve të Vitit të Ri, zbulon prapaskenat e këtij bashkëpunimi, që lindi aty për aty, në studion e producentit Flori Mumajesi. “Krejt rastësisht, ndërsa po punonim në studio, Flori propozoi që në këtë këngë të isha në bashkëpunim me Stresin. Edhe ai ishte atë ditë prezent në studio dhe duke qenë se jemi miq prej kohësh, thamë ‘Pse jo?’”, sqaron Fjolla, e cila theu çdo rekord të parashikuar me suksesin e këngës “FB”, – një këngë e pëlqyer dhe e kërcyer mjaft në jetën e natës. Sakaq, duke iu rikthyer këngës së re, Fjolla thotë se: “Kënga është për klube. Tematika e kësaj kënge lidhet pikërisht me ambientet në të cilat është e destinuar të dëgjohet më së shumti, në klubet e natës, ku siç dihet, njerëzit u vënë flakën mbrëmjeve, nxjerrin tym… (qesh). Nga ana tjetër, në klube konsumohet edhe shumë duhan”, – vazhdon Fjolla me buzën në gaz.
Klipi tashmë është gati dhe shumë shpejt do të publikohet, ndërkohë që sa u takon festave të fundvitit, Fjolla thotë se do t’i kalojë si çdo herë tjetër në shtëpi krah familjes, duke refuzuar kështu disa oferta shumë të mira… Të paktën për momentin këtë mendje ka, s’i dihet për më vonë. Jeta private mbetet sërish një enigmë e madhe kur vjen puna për këngëtaren, e cila thotë se ndihet mirë me veten, ndaj për momentin nuk ka nevojë për një partner.