TIRANE - Jo vetëm ata që e kanë pasur mik kanë shprehur dhimbjen e tyre për ndarjen nga jeta në moshën 35-vjeçare të Florian Kondit (Dr. Flori), por gjithkush që ka dëgjuar qoftë edhe një varg të vetëm kënge nga ai. Si artist i angazhuar dhe i ndjeshëm ndaj problemeve sociale, Dr. Flori kishte prekur zemrat e një publiku të gjerë, kur herë i bashkohej politikës e herë i vihej kundër asaj. Për sa u përket artistëve, dihet që ai shkruante muzikë për vete e të tjerët, konkurronte në festivale e udhëtonte nëpër koncerte, kështu që pothuaj të gjithë ruajnë qoftë dhe vetëm një kujtim të shkurtër me të. Këngëtari i njohur Endri Prifti është një nga ata që e ka kujtimin të freskët me Dr. Florin. E kishte takuar vetëm disa orë para ndarjes nga jeta, dje paradite. “Sikur ta kishim ndier ikjen e tij kaq ta beftë nga kjo botë, mbrëmjen e së dielës e kemi diskutuar pa fund në tavolinë me miqtë, duke qeshur me bëmat dhe batutat e tij. Ky ishte Dr.Flori, i pranishëm edhe kur mungonte, dhe kështu do të jetë edhe tani që s’është më. Do më mungojë shumë si shok, mik dhe artist me një talent të veçantë”, shprehet Endri, në këtë ditë zie për familjen dhe miqtë e tij, që ende nuk e besojnë se e gjithë kjo ka ndodhur me të vërtetë. “Sapo kishin nisur një bashkëpunim me Dr.Florin dhe po punonim intensivisht që gjithçka të shkonte mirë të premten në “Crazy Calvin”. Përzgjodhëm këngët tona më të mira për ta djegur fare këtë premte, në natën “live” që kishim planifikuar në club-in “Crazy Calvin”, së bashku me Aurela Gaçen dhe Stefin. “Për mua ky lajm erdhi si rrufe në qiell të hapur. Edhe pse së fundi e shihja paksa të shqetësuar, kur ai ngjitej në skenën e “Crazy Calvin” për provat e koncertit të së premtes, shndërrohej në tjetër njeri. Si artist reflektonte energji në mënyrën që dinte vetëm ai dhe ndaj Aurela dhe ne dy vëllezërit i kërkuam këtë bashkëpunim për ta pasur në koncertet tona të fundjavave për gjithë sezonin”, shprehet këngëtari. Më tej, duke folur për miqësinë e këngëtarit të “West Side Family”, Endri tregon: “S’mund t’i harroj tavolinat tona gazmore, kemi shumë kujtime bashkë, kemi kaluar momente të bukura, kemi pirë e kemi gdhirë net të gjata si artistë që jemi… Vitin e kaluar ai festoi ditëlindjen në club-in tonë”. Ndërsa këtë vit na kishte munguar me praninë e tij dhe ne menduam ta ftonim për bashkëpunim, plan që fatkeqësisht mbeti në mes. Kujtim prekës për ne do të na mbeten posterat që realizuam për koncertin tonë të parë “live” të premten, me fotot tona dhe Dr. Florin mes nesh. Si tek ai poster ai do të mbetet mes nesh…”
↧
Endri Prifti: Doktor Flori dukej i shqetësuar kohët e fundit
↧