TIRANE - Aurela Hoxha drejton prej pesë vitesh një agjenci dhe një revistë mode. E kush më mirë se ajo, mund të jepte ca vërejtje dhe këshilla për stilin e shqiptarëve këtë verë. Ky në fakt ishte dhe qëllimi i intervistës sonë, të cilin po ju themi që në fillim nuk e arritëm. Për fat të “keq”, Aurela është aq pozitive, sa pëlqen të përmendë vetëm pjesën e bukur… Megjithatë, në këtë rrëfim për “Bluetooth”, vajza bukuroshe na ka treguar detaje mjaft interesante nga jeta e saj që në vegjëli, kur nga dëshira e madhe për skenën e televizionin bënte sikur prezantonte, e pastaj po vetë këndonte e kërcente…
FOTOGRAFIA
Nga 1-10 sa të pëlqen të fotografohesh?
Me siguri 10-të! Dhe më shumë se 10-të ndoshta.
Ku dhe kur e ke bërë set-in më të fundit fotografik?
Vetëm para një jave në Kepin e Rodonit. Ishte në fakt një ndër set-et më të bukura që kemi realizuar pasi ideja, veshjet, vendi e mbi të gjitha Kisha, të jepte një ndjesi shumë të çuditshme dhe të bukur. Rezultati final ishte gjithashtu i bukur.
Deri ku ka shkuar zhveshja tuaj përpara aparatit? Ke ndonjë foto nudo? Nëse jo, ke në plan të bësh ndonjë të tillë?
Jo, nuk kam realizuar foto nudo dhe as që e kam në plan të bëj një set të tillë. Parapëlqej fotot ku jam e veshur. Për mendimin tim, sensualiteti i një femre nuk mbulohet nga veshja, përkundrazi…
Që kur ishe e vogël të pëlqente të bëje foto? Në cilën moshë i ke fotot e tua të para?
Kam foto që dy vjeçe, madje shumë të bukura, por nuk kujtoj të kem patur ndonjë pasion të veçantë për fotografinë deri në adoleshencë, do të thoja deri kur njoha Endritin.
Atëherë çfarë ëndërroje të bëheshe?
Mbaj mend që e vogël kam qenë shumë e apasionuar pas televizionit. Dua të them që ëndrra ime ishte të bëja televizion, spektakle, festivale, të këndoja, të kërceja, dhe këto i bëja çdo ditë para familjes, pasqyrës. Në fillore edhe para klasës apo shkollës, me aktivitet që organizoheshin në shkollë, për festa të ndryshme. Nuk i kisha shumë idetë e qarta çfarë me saktësi më pëlqente pa fund të prezantoja, por mbaj mend që pas prezantimit doja prapë të isha unë që performoja, hahaha, dua të them, nuk kënaqesha vetëm me prezantimin pasi më dukej pak.
FAMILJA
Po familjarët e tu, çfarë ëndërronin për ty? A ua plotësove dot dëshirën?
Mami donte që unë të bëhesha doktoreshë dhe ëndërronte të më shikonte një ditë me bluzën e bardhë. Këtë ëndërr unë ja bëra realitet pasi ndoqa studimet e larta për mjekësi. Mirëpo krahas studimeve, fillova të angazhohesha me televizion, modë, dhe kështu bashkë me mua dhe mami u bind që përpos notave shumë të mira, unë nuk isha e prerë për Mjekësi. Nuk isha aq e fortë sa të shikoja çdo ditë njerëz që vuajnë. Ëndrra ime ishte dhe prirja ime.
Vëllezërit të pengonin në veshje apo dalje? Të ruanin se mos të ngacmonte njeri
(qesh) Tani që më bëni këtë pyetje, kuptoj që ndoshta do të kishte qenë bukur të ndodhte kjo. Por jo, unë jam rritur larg tyre për fat të keq. Vëllezërit e mi kanë ikur jashtë kur unë isha akoma e vogël dhe nga ata kam patur vetëm llastime. Më kanë llastuar shumë e para, sepse unë jam e vogla e familjes dhe motër e vetme, dhe e dyta sepse kemi patur gjithnjë shumë mall për njeri-tjetrin. Kurrë nuk na kanë mjaftuar pushimet për t’u çmallur.
PUSHIMET
Ku po pushon Aurela këto ditë të nxehta? Me kë po i kalon pushimet?
Momentalisht jam në punë dhe ditët më të nxehta po i kaloj pranë kondicionerit të zyrës bashkë me të gjithë stafin e revistës. Unë i kam filluar që herët pushimet… Isha dy javë në USA, në Miami, Las Vegas. Në fund të korrikut isha një javë në Capri dhe pasi të mbyll këtë numër të revistës, besoj do të lëviz edhe një javë tjetër.
Të pëlqen të lëvizësh kur je me pushime, apo preferon të marrësh rreze në shezllon?
Absolutisht zgjedh të lëviz. Nuk rri dot në një vend. Preferoj të shoh vende të reja, të notoj, të bëj shumë gjëra në një kohë… Vetëm të rri ulur duke lexuar jo, pasi këtë e bëj gjithë pjesën tjetër të vitit, e ulur në zyrë duke shkruar, lexuar, apo duke marrë informacion mbi tendenca, trende e gjithçka ndodh në Shqipëri e jashtë saj.
Zakonisht zgjedh plazhet me shumë njerëz, apo je në kërkim të vendeve të paprekura?
Varet nga pushimet. Nëse do të isha çift me siguri do të pëlqeja vende romantike, me shumë pak njerëz ose pa pushues fare. Në rast se jam me shoqërinë kam dëshirë të shkoj në vende me zhurmë, muzikë të lartë, shumë të frekuentuar.
Pushon 15 ditë në vit, apo nis që në maj udhëtimet drejt detit?
Më pëlqen të bëj pushime gjatë gjithë vitit. Ndoshta jo nga 15 ditë, por shkëputem herë pas here për të udhëtuar dhe për t’u relaksuar larg Tiranës e sidomos larg rutinës së punës.
VESHJA
Sa palë rroba plazhi dhe aksesorë vetëm për verën ka në garderobën tuaj?
Nuk i kam numëruar, por ka shumë. Vera është stina ime dhe e shijoj pa masë, kështu që një vëmendje të mirë zë dhe kjo pjesë. Në këtë periudhë në garderobën time ka pafund veshje plazhi, rrobabanjo, aksesorë, çanta, peshqirë, kremra… Ka gjasa që aq shumë sa janë nuk do të kem mundësi t’i përdor të gjitha këtë verë, megjithatë të paktën janë aty. Le të presin udhëtimin e radhës (qesh).
Cila është blerja tuaj e fundit dhe sa ka kushtuar?
Zakonisht kur udhëtoj, bëj dhe shoping. S’di të them me saktësi se cila është blerja e fundit, po kam blerë disa fustane të bardha lino në Capri. Nuk kanë kushtuar shumë dhe janë të bukura e tejet komode për verën.
Si do e komentoje stilin e femrave dhe meshkujve shqiptarë këtë verë?
Rrugët e Tiranës ku unë ndodhem aktualisht janë bosh, pasi të gjithë kanë ikur me pushime. Megjithatë me çfarë shoh nga rrjetet sociale, i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë edhe veshjeve të pushimeve. Për mua janë shumë ‘ok’, në formë, të kuruar, plot ngjyra dhe aksesorë. “Hot” si vetë stina.
Çfarë nuk të ka pëlqyer?
Ka gjithmonë diçka që të vret syrin, po e rëndësishme është që përgjithësisht janë të mirinformuar për trendet dhe përpiqen të jene në atë linjë, sigurisht secili duke iu përshtatur edhe mundësive që ka.
PUNA
Kishit një projekt televiziv, i cili nuk u realizua… Pse nuk u transmetua kurrë emisioni yt mbi operacionet plastike?
Kishte një problem me blerjen e atij programi. Është kohë krize, e kjo reflektohet kudo çdo ditë, dhe në gjërat më të prekshme. Unë dhe i gjithë stafi punuam me shumë dashuri për atë program, por nuk kishim buxhet të mjaftueshëm për ta çuar deri në transmetim. Gjithsesi puntatat janë të regjistruara, ideja besoj është e bukur ndaj mund të ketë dhe një rast të dytë për ta finalizuar.
Çfarë pune bën Aurela momentalisht?
Momentalisht po merrem vetëm me revistën dhe agjencinë e modës. Kjo është puna ime konstante prej pesë vitesh tashmë, përveç projekteve të tjera që kam realizuar gjatë këtyre viteve.
Sa orë në ditë të merr puna që bën?
Jam pothuajse gjithë ditën në zyrë. Jo gjithmonë duke punuar, por gjithsesi i kushtoj një vëmendje dhe një kohë goxha të konsiderueshme.
Ke ndonjë projekt për sezonin e ri televiziv? Do të të shohim në ndonjë ekran?
Shpresoj që po. Për momentin nuk mund t‘ju them akoma asgjë konkrete.
The post Aurela Hoxha: Dashuroj fotografinë, por s’do pozoja kurrë nudo appeared first on Lajmet e fundit nga Shqiperia, Kosova dhe Maqedonia.